Albatros Rexhaj

Këtu flitet për dashurinë, jetën dhe të gjitha klishet tjera që përgjithmonë e kanë infektuar artin dhe letërsinë.

Për ata që sot na mungojnë

March 24th, 2020

Sa më mungon,

madje edhe sikur vetëm të më bësh me nerva, të zihemi e të kalojmë mbrëmjen plot inat,

dhe më pas të injorojmë njëri-tjetrin klubeve, duke u shtirur se vazhdueshëm po hasemi ashtu krejtësisht rastësisht,

më mungon të pajtohemi ashtu siç dimë vetëm unë dhe ti, si dy të çmendur që nuk munden pa njëri-tjetrin,

Më mungon ti.

 

Një episod i tëri kushtuar mallit që ndiejmë për njerëzit që sot nuk mund t'i takojmë. 

Të dashurosh nga larg

March 18th, 2020

Deri dje, dashuria në distancë na dukej një koncept mjaft i çuditshëm, madje edhe habiteshim si mund ta bënin disa. Askush nuk e mendonte se një ditë do të mund të zgjoheshim në një botë ku pikërisht ky tip dashurie është mbase forma e vetme për shumë çifte.

Në këtë episod, Albatros Rexhaj ndan disa nga mendimet e tij për të tejkaluar vështirësitë e kësaj sfide.

Dëgjim të këndshëm.

Dashuria në kohën e Koronës

February 24th, 2020

Mendo për njeriun që e dashuron fort dhe tani imagjino situatën ku ky njeri është infektuar me Corona Virus. Çfarë do bëje ti? Do të rrije me të apo do të ndaheshe të qëndroje veçmas?

Për këtë episod jam frymëzuar nga shumë histori, për të cilat kam lexuar së fundmi, të çifteve të ndryshme që kanë refuzuar të ndahen nga njëri-tjetri përkundër rrezikut të madh që sjell kjo epidemi. Disa ia kanë dalë të jenë fitimtarë, por disa edhe kanë pësuar.

Çfarë do bëje ti, sikur të ishe në një situatë të tillë?

Kjo është pyetja bosht e këtij episodi këtu në podcastin tim.

Dëgjim të këndshëm si dhe i pres komentet dhe mendimet tuaja.

Të dua ty, ty që më bën me nerva

February 19th, 2020

Në këtë episod, i zbërthej mendimet e mia prapa këtyre vargjeve të mia, të publikuara së fundmi në faqen time në Instagram:

“Më duhesh ti,

ti që më bën me nerva,

ti që m’i vonon mesazhet,

ti që bën drama nga hiç gjë, 

më duhesh ti,

ti që më mbush shpirtin edhe atëherë kur nuk je.”

 

Jam shumë i bindur se historia prapa këtyre vargjeve është një nga ato histori që, së paku një herë në jetë, e kemi provuar të gjithë.

Dëgjim të këndshëm!

Në dashuri, a mjafton një “më fal”?

February 9th, 2020

Janë disa njerëz që mendojnë se mund të bëjnë çfarë të duan dhe se gjithnjë mund t’ia hedhin me një “më fal”. Albatrosi thotë se njeriu që dashuron fal, fal një herë, fal dy herë, fal shumë herë, por ndonjëherë vjen ajo situata kur zemra e dashuruar zhgënjehet aq shumë saqë më as edhe një milion “më fal” nuk mjaftojnë. Në këtë episod, shkrimtari Albatros Rexhaj shpjegon frymëzimin dhe kontekstin prapa vargjeve të tij të publikuara së fundmi:

“.. sikur vetëm ta kuptonte,

ti nuk je dëshpëruar,

je e zhgënjyer,

dhe kjo nuk kalon më një thjesht

“më fal”.”

Dashuri dhe urrejtje

January 28th, 2020

Sa i hollë është kufiri mes urrejtjes dhe dashurisë.

Në ankthin e dhimbjes klith: Të urrej, sepse nuk mund të dashuroj askënd tjetër.

Këto vargje, fragment nga libri “Zonja Z”, gjegjësisht tema e konfliktit në mes të ndjenjës së dashurisë dhe asaj të urrejtjes, janë pikënisja e episodit të shtatë këtu në podcastin e shkrimtarit Albatros Rexhaj, realizuar ekskluzivisht për Revista Class në Tiranë.

Vallë e urrejmë vërtet apo kjo urrejtje është vetëm një stad i ri i ndjenjave të dashurisë që kemi për personin që na ka thyer zemrën?

Ky episod është një audio editorial të cilin patjetër duhet t’ua rekomandoni miqve tuaj.

“Gripi” i keq i dhimbjes së dashurisë

January 26th, 2020

“Kur dashuron nuk mundesh thjesht të heqësh dorë dhe të shpëtosh. Jo, dhimbja e dashurisë është si një grip i keq që nuk të lëshon pa e bërë të veten, pa të konsumuar tërësisht, pa ta nxjerrë edhe yndyrën e nënës nga shpirti”, ky fragment nga libri KTHIMI i Albatros Rexhaj e pasqyron këtë episod në podcastin e shkrimtarit Albatros Rexhaj.

Një audio editorial tërësisht spontan mbi vërtetësinë e dhimbjes që ndiejmë atëherë kur na thyhet zemra, por edhe mendime mbi atë se si mund ta menaxhojmë këtë dhimbje.  

Loja jonë me nervat e zemrës

January 23rd, 2020

Episodi i radhës në podcastin e shkrimtarit Albatros Rexhaj, punuar ekskluzivisht për Revistën Class, është frymëzuar nga një detaj interesant i rrëfimit “Përbindëshi i rrumbullakët”, shkruar nga Alberto Moravia: pse vrapojmë pas dikujt edhe pse e dimë që ai/ajo do të na refuzojë?

Albatros Rexhaj pyet: pse njerëzit bëjnë indiferentin, edhe pse mbase një ditë më herët keni kaluar një histori të jashtëzakonshme? Pse jemi ata që gjithnjë e bëjmë hapin e parë, pse shkruajmë të parët, pse nuk mund të përmbahemi? Dhe më e rëndësishmja, pse me vetëdije e poshtërojmë veten?

“Loja jonë me nervat e zemrës” është po ashtu titulli i një poezie që Albatros Rexhaj e ka shkruar javët e fundit dhe që po ashtu është përfshirë në këtë audio editorial, tërësisht spontan, ashtu siç është edhe dashuria, e pa plan dhe pa paramendim.

Tërmeti që u harrua

January 20th, 2020

Këtë fundjavë, në përpjekje që të rikrijojë kujtimet e kohës para tërmetit për këtë qytet, shkrimtari Albatros Rexhaj e vizitoi Durrësin. Kjo vizitë u bë shkak për regjistrimin e këtij audio editoriali, tërësisht spontan, frymëzuar nga dhimbja dhe trauma që akoma jeton mes njerëzish aty si dhe përshtypja se kjo ngjarje kaq e madhe tashmë sikur është harruar dhe bashkë me të edhe peripecitë e njerëzve që akoma vuajnë pasojat e tërmetit. Ky audio editorial, i realizuar ekskluzivisht për Revista Class, duhet të shërbejë si pikë reflektimi për të gjithë ne.

 

Thashethemet, ana e erret e jona

January 14th, 2020

Thashethemet janë ai fenomeni i shpifur kronik që assesi nuk shqitet nga realiteti ynë. Sado që shprehim neverinë tonë ndaj tyre, ato vazhdojnë të lulëzojnë. Në këtë audio editorial tërësisht spontan, të realizuar enkas për Revista Class, shkrimtari Albatros Rexhaj flet për thashethemet si atentate brutale ndaj personalitetit të tjetrit si dhe për nevojën që ndryshimi të fillojë nga vetë ne.